Ilija Loncarevic u prezantua si trajner i Tiranës nga drejtuesit e klubit Shefi Dimraj dhe Presidenti Refik Halili i cili sqaroi se teknikut kroat i është bërë një kontratë 1 vjeçare për të mos rrezikuar financiarisht pasi klubi ende nuk është privatizuar ashtu siç ka porositur UEFA. Por si trajner dhe drejtuesit e klubit janë shprehur me rezerva për objektivat që do të ketë Tirana për këtë sezon duke filluar që nga ndeshjet e Champions League.
Refik Halili: “Për të shkuar tek Champions League do duhet pak punë, do duhet financë, bashkëpunim. Por t’ju them sinqerisht që në qoftë se do të kishte qenë klubi, pra privat ose shoqëri aksionare të ishit të bindur klubi i Tiranës do ti ngrehet emri edhe 10 herë me shumë se sa seç e ka. Nuk kemi se ç’bëjmë më shumë se sa po sjellim një trajner, i cili ka një emër goxha të madh, ka një cv goxha të pasur dhe do t’ju thoja që atë që nuk e bën federata shqiptare e futbollit e bën një donator apo dy donator.”
Halili e konsideron si arritje që ka vënë nën kontratë një is- kandidat për trajner të kombëtares, por edhe vetë Loncarevic nuk e ka idenë tani për tani se deri ku mund të shkojë me këtë ekip.
Ilija Loncarevic: “Kam qënë në bisedime me presidentin Halili edhe vitin e shkuar por nuk munda të vija. Këtë herë unë e ndjeva si detyrim moral të vija dhe të merrja këtë detyrë. Unë jam i lumtur që do të drejtoj një skuadër si Tirana.”
Tekniku më pas ka preferuar të ndjekë stërvitjen e ekipit nga shkallët e stadiumit./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe