Presidenti francez Emmanuel Macron ripohoi të enjten se do të qëndrojë deri në fund të mandatit të tij në Maj të vitit 2027, në një fjalim drejtuar kombit një ditë pasi ligjvënësit rrëzuan qeverinë e udhëhequr nga Michel Barnier.
“Mandati që më keni dhënë është për pesë vjet dhe unë do ta ushtroj atë deri në fund”, tha Macron gjatë një fjalimi 10-minutësh, duke shtuar se do të emërojë kryeministrin e ri “ditët e ardhshme”. Më tej Macron-i fajësoi ligjvënësit e opozitës për “mungesë përgjegjësie” dhe tha se e djathta dhe e majta ekstreme formuan një “front anti-republikan”.
“Ne nuk mund të lejojmë të përçahemi dhe mos bëjmë asgjë. Prandaj do të emëroj një kryeministër ditët në vijim. Do t’i kërkoj të formojë një qeveri në interes të të gjithëve me përfaqësimin e të gjitha partive politike.”
Presidenti shtoi se qeveria e re do të miratojë një ligj të veçantë për të përshtatur buxhetin e vitit 2024 për vitin 2025 dhe më pas do të hartojë një buxhet të ri në fillim të vitit të ardhshëm.
Macron u takua me aleatët dhe krerët e grupeve parlamentare gjatë të enjtes, ndërsa hëngri drekë me Francois Bayrou, emri i të cilit është cituar nga mediat franceze si pasardhësi i mundshëm i Michel Barnier. Pallati Elysee tha se Macron i kërkoi Barnier-it dhe qeverisë së tij që të qëndrojnë si kujdestarë derisa të formohet një qeveri e re.
Presidenti Macron shpreson të emërojë me shpejtësi një kryeministër të ri dhe burimet thonë se ai do ta bëjë përpara ceremonisë së të shtunës për rihapjen e Katedrales Notre-Dame.
Klan News