Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Lista e zgjedhjeve, përgatitja e tyre korrekt dhe në kohë është prekur nga presidenti Moisiu, një ditë pas deklaratës së BE-së. Në deklaratë fajësohet politika shqiptare për pamjaftueshmërinë e reformave, krimi i organizuar, korrupsioni mbeten fusha që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Trafiku i drogës dhe qenieve njerëzore, strukturat e shtetit sipas deklaratës së BE-së, duhet të provojnë që janë të lira nga elementët kriminal. Dështimi i zgjedhjeve të ardhshme do të jetë kthim pas i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE. Listat e zgjedhësve janë cilësuar si mjaft të rëndësishme.
Alfred Moisiu: “Vetë arritja e standardeve demokratike, të proceseve zgjedhore, nuk mund të kuptohen pa përgatitjen saktë të listave të zgjedhësve, pjesë shumë e ndjeshme dhe e dobët e realitetit shqiptar. Shfrytëzoj rastin, për të kërkuar edhe njëherë me forcë nga ekzekutivi shqiptar, përgatitjen me çdo forcë të listave zgjedhore të sakta, për zgjedhjet e vitit 2005, për të cilat që në 5 Janar të këtij viti kam biseduar me ministrin e pushtetit vendor dhe ë vonë dhe me kreu e ekzekutivit. Nuk mund të pranohet më, qoftë edhe mundësia më e vogël për abuzim, me të drejtën e votës për çdo qytetarë. Asnjë justifikim nuk mund të jetë i vlefshëm.”
Këtë deklaratë presidenti Moisiu e ka bërë gjatë një seminari trajnues për informatizimin e administratës. Ndërsa kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Osmo Lipponen mbështet deklaratën e BE, një nga deklaratat më të forta e kritike lëshuar për qeverinë që kur kanë nisur negociatat.
Osmo Lipponen: “Ka disa konceptime të gabuara të çështjeve që ne ngremë. Ka një ligj mbi balancimin e KQZ, që është në fuqi por që nuk është zbatuar, prandaj KQZ është çështje kryesore përveç asaj të listave të votuesve. Në diskutimet paraprake, dy partitë kryesore politike përpara këtij procesi kanë rënë dakord, ndaj është në dorën e tyre në do t’i zbatojnë apo do të vazhdojnë me këto ligje që kanë. Ky është një proces shqiptar, vullneti politik duhet të ndërtojë një atmosferë përpara procesit zgjedhor, në mënyrë që kushdo që të fitojë, të pranohet si fitues.”
Përfaqësues të shoqërisë civile e kanë quajtur sinjalin e marrë nga deklarata e BE, paralajmërimin e fundit për Shqipërinë.
“Zoti Fatos Nano nuk ka marrë avionin e parë për t’u kthyer në Tiranë, pas publikimit të këtij paralajmërimi, i cili është më i rëndi që ka marrë qeveria shqiptare në marrëdhënie me BE është një tregues i qartë i kësaj indiference. Paralajmërimet e BE vijnë për të gjithë klasën politike shqiptare dhe nuk pranojnë të vënë në radhë të parë interesat e vendit.”
Lëvizja Mjaft do të ndërmarrë një fushatë “vullnet europian”, për shpalljen e angazhimeve të personaliteteve të të gjitha fushave./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti