Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Republikës, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, pas rreth dy orë bisedimesh mbi krizën qeveritare arritën të mbulojnë vetëm disa radhë të një deklarate, e cila në fakt mori më shumë kohë se sa vetë bisedimet. Në përfundim të takimit të shumëpritur, askush nuk mund të thotë se si do të veprohet me vendet e mbetura vakant në qeveri, të ministrit të jashtëm dhe atij të rendit.

Kryeministri Nano paralajmëroi në takimin me kreun e shtetit, se nuk ka ndërmend të kalojë edhe njëherë provën e parlamentit përpara kongresit, të cilin ai e quajti të lidhur me zhvillimet kryesore në vend. Ndërsa vetë presidenti kishte deklaroi disa ditë më parë se mbetej në pritje të emrave të ministrave dhe se qeverisja me zëvendësministra nuk mund të zgjatej.

Por nga deklarata e Trojkës, Moisiu, Nano, Pëllumbi nuk merret asnjë mesazh se cilat do të jenë hapat e mëtejshëm në zgjidhjen e krizës, për më tepër që njoftimi publik u nda në dy deklarata, një e presidencës dhe një e Kuvendit dhe e Kryeministrisë. Ndryshimi midis tyre qëndronte se tek e para, të tre institucionet shprehnin shqetësimin dhe vullnetin për një zgjidhje sa më të shpejtë. Ndërsa tek e dyta, ishte hequr fjala shqetësim dhe ishte shtuar në përputhje me Kushtetutën dhe me vullnetin e mazhorancës.

Nga takimi i së shtunës në mbrëmje nuk pati asnjë qëndrim të përcaktuar qartë të presidencës për më tepër që një gjë e tillë, po kërkohet me forcë nga opozita dhe forca të tjera politike në vend./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini