Presidenti rumun Klaus Iohannis do të japë dorëheqjen nga detyra për të shmangur sipas tij një krizë që do të pasonte pasi Parlamenti pritej të votonte për shkarkimin e kreut të shtetit.

“Për të shpëtuar Rumaninë dhe qytetarët e saj nga kjo krizë, po jap dorëheqjen nga posti i Presidentit të Rumanisë. Do të largohem nga detyra pasnesër, më 12 Shkurt”.

Në detyrë që nga viti 2014, ai ka shërbyer tashmë dy mandate 5-vjeçare. Megjithatë, presidenca e tij u zgjat pasi Gjykata Kushtetuese në Dhjetor anuloi rezultatet e garës presidenciale.

Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm raundin e parë të presidencialeve të zhvilluar më 24 Nëntor të vitit të kaluar, ku doli papritur në krye radikali i djathtë pro-rus Calin Georgescu, që kundërshton ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës.

Shkalla më e lartë e gjyqësorit në vend e mori vendimin pasi më herët Presidenti në detyrë Klaus Iohanis deklasifikoi dokumente të shërbimeve vendase të zbulimit që arrinin në konkluzionin se Rusia kishte organizuar një fushatë të fshehtë në rrjetet sociale për të promovuar Calin Georgescu-n.

Fushata përqëndrohej në rrjetin kinez TikTok dhe Telegramin e shumëpërfolur si vatër të përhapjes së lajmeve të rreme.

Klan News