Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, po udhëtojnë drejt Brukselit. Në Këshillin e NATO-s i pari i Kosovës do të flasë për gjendjen politike dhe të sigurisë në vend.

Por kjo vizitë, që sipas Sejdiut është aranzhuar qysh moti realizohet në kohën kur raportet mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s  nuk kanë kaluar momentet më të mira mes tyre. Kjo për shkak të pjesëmarrjes së FSK-së  me armë ne epopenë e UÇK-së.

Sejdiu tha, se këto tensione janë tejkaluar tashmë.

Fatmir Sejdiu: “Unë them se ajo ka qenë një sekuencë që është tejkaluar edhe po flas në kuptimin ma të mirë të mundshëm. Ne kemi pas biseda intensive me ta dhe mendoj se jemi kuptuar mirë dhe u kujtoj që është i interesit reciprok që të ketë një bashkëpunim sa më të ngjeshur.”

Para nisjes për në Bruksel, Sejdiu konfirmoi pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së në Bërdo të Sllovenisë, por me kushtin që Kosova të përfaqësohet si shtet.

Fatmir Sejdiu: “Që ne të prezantohemi kudo të barabartë sikur vendet e tjera. Nëse do të jetë modeli i prezantimit të shtetit në kuptimin e formulës edhe në tavolinë duhet të jetë asisoj. Nëse do të jetë vetëm emrat, përemrat për të gjithë njësoj do të jetë asisoj. Por jo që të ketë laramani në kuptimin e prezantimit të Kosovës ndryshe.”

 Ndryshe gjatë qëndrimit në Bruksel Sejdiu tha se do ta përsërisë kërkesën e tij të mëhershme nëpër sekretarët e përgjithshme të NATO-s dhe admiralit Mark Fixherald që Kosova qoftë edhe simbolikisht të jetë e pranishme në operacionet  paqësore të NATO-s./tvklan.al