Grupimi për reagim qytetar ka marrë mbështejten e Presidentit të Republikës Alfred Moisiu në lidhje me rrëzimin e mundshëm të marrëveshjes me qeverinë italiane për importimin dhe përpunimin e plehrave në Kashar.

Kreshnik Spahiu: “Për sa kohë qeveria dhe kryeministri interferojnë në pushtetin legjislativ duke nxjerrë akte dhe vendime që vijnë në kundërshtim me kuadrin ligjor të parlamentit shqiptar dhe konkretisht, për sa i përket ligjit për mbetjet urbane dhe administrimin e këtyre mbetjeve, atëhere për aq kohë demokracia do të jetë e rrezikuar në vend dhe Presidenti i Republikës duhet të ndërhyjë me çdo kusht.”

Erion Veliaj: “Nga ana praktike kemi një qytetar më shumë në grupimin e reagimit qytetar, nga ana morale kemi qytetarin numër nji të shtetit i cili u prononcua shumë qartë kundër importit të plehrave dhe besoj që ky është mesazhi më i fortë për të thënë që Maliqi nuk mund të jetë më mbi ligjin.”

Komisioni parlamentar i mjedisit ka ftuar OJQ-të që përbëjnë grupimin për reagim qytetar për të diskutuar mbi marrëveshjen me qeverinë italiane.

“As Maqedonia, as Mali i Zi, as Rumania, as Bullgaria, as Serbia, të gjithë këto shtete të rajonit nuk kanë pranuar këtë lloj teknologjie se s’duan të pranojnë edhe ardhjen e plehrave, se kjo teknologji mbështetet vetëm mbi këtë lloj filozofie që të marrë plehra nga jashtë, ndryshe ajo nuk është rentabël.”

“Shqipëria sot, pa zgjidhë këtë problem do të na fusë nga jashtë plehra, popullorçe quhet plehra, ose mbeturina urbane të cilat detyrimisht nuk ka asnjë kapacietet për t’i kontrolluar.” /tvklan.al