Prokuroria kërkoi ndëshkim me gjobë prej 1 milionë lekësh të reja të ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi. Ai u akuzua në nëntor të vitit 2003 për shpërdorim detyre duke përdorur tenderin me prokurim të drejtëpërdrejtë dhe jo atë me prokurim publik për blerjen e disa materialeve për institucionin.

“Shkelja në mënyrë permanente nga i pandehuri Fatos Klosi ka sjellë pasoja të rënda për interesat e shtetit. I nderuar zoti kryetar, në analizë të gjitha rrethanave të kësaj çështje kërkojmë nga ana juaj deklarimin fajtor të të pandehurit Fatos Klosi për kryerjen e veprës penale “shpërdorim të detyrës” dhe në bazë të nenit 248 të kodit penal dënimin e tij me 1 milion gjobë.”

Padija kundër zotit Klosi u bë nga kryeministri Nano. Në bazë të dokumentacionit që u dorëzua nga kryeministria, dëmi i shkaktuar kapte shifrën e rreth 60 milionë lekëve të reja. Kjo akuzë konsiderohet politike nga ish-kreu i SHISH-it Fatos Klosi.

Fatos Klosi: “Akuza është direkte, janë dy akuza të zotit Nano, prandaj dhe prokurori me sa duket s’është në gjendje t’i thotë zotit Nano e keni gabim edhe kanë gjetur këtë rrugë të mesme tani edhe të bëjnë një dënim me gjobë në mënyrë që dhe zoti Nano, ishalla mbetet i kënaqur dhe unë mos kem të drejtën të ankohem shumë. Ëmo, me gjobë i dënuar punë e madhe!”

Mbrojtja e zotit Klosi ka kërkuar një afat prej 20 ditësh për të përgatitur konkluzionet e veta përfundimtare para se gjykata të shprehet me vendim./tvklan.al