Demiri dhe Thëllënxa  janë rikthyer në “Shihemi në Gjyq” për të arritur një marrëveshje mes tyre për borxhin që ajo i detyrohet të vëllait. Por gjatë negociatave, Demiri refuzon të tërhiqet nga pretendimi i tij fillestar për të marrë jo gjysmën, por 60 mijë euro nga shitja e shtëpisë duke e lënë Thëllënxën me thuajse asgjë.

Ai i kërkon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan që ajo të paguajë të gjitha faturat dhe shpenzimet kontraktuale duke mos  prekur pjesën e tij. Sipas tij, nga totali i qirasë që Thëllënxa i ka paguar (150 euro për 9 vjet), ai ia ka kthyer 7 milionë. Thëllënxa i ka ofruar 40 milionë, por Demiri këmbëngul për 60 milionë.

Eni Çobani: Nga këto 16 milionë e 200 mijë, 7 ia ka dhënë se duhet të jemi të sinqertë. Tani luajmë te shifra me 18 se thotë dua 60 dhe pa asnjë shpenzim tjetër për të paguar kundrejt noteres apo taksave të tjera që janë shumë të larta. Pra 60 zotëria e kërkon të pastër. Atëherë çfarë ngeli në anën tjetër?  Pothuajse asgjë. Vërtet e ndihmove motrën, por sot prapë i fituar po del ti, jo motra.

Demir: Del edhe ajo.

Eni Çobani: Po çfarë do të marrë? 10 milionë?

Demir: Merr 20.

Eni Çobani: Po ja edhe 20, ku do të shkojë me 20?

Demir: Le të shkojë ku t’i dojë kokrra e qejfit, të shkojë në Gjermani se për në Gjermani i mori lekët ajo! Kur mori lekët, pjesën e babait, 3 milionëshin e nisi me vrap për në Gjermani ku në një kohë ajo kishte, nuk thoshte o vëlla mbaje ti këtë pjesë, por nuk vinte të firmoste te noterja.

Thëllënxa: Ue çfarë mashtruesi! Po më more me dhunë atje që më dhe 2 milionëshin mua, jo 3, po 2!

Demir: Ti të thashë edhe njëherë, je mashtruese! Unë i kam këtu me letra!

Ai bie dakord që të nesërmen të paraqiten te noteri bashkë me vajzën e tij  që po mbërrin posaçërisht nga Italia sepse shtëpia ndodhet në emrin e saj. Megjithatë, asgjë nuk ia ndryshon mendjen.

Eni Çobani: Gjysmë për gjysmë është pak e vështirë me ç’shikoj, nuk arrijmë dot gjysmë për gjysmë megjithatë e rëndësishme është: Demiri erdhi, te noteri do të shkojmë, blerësen e kemi këtu mes nesh, dokumentet ligjore janë shumë të sakta. Uroj shumë që deri nesër tek noteri të kemi ndoshta një ndryshim pikërisht të kësaj 18-shes. Për 18 po luajmë, për 18 milionë, nëse mund të anojmë pak nga Thëllënxa. Jo ndoshta të gjithën, por një pjesë.

Përgjigjja përfundimtare e seancës mbetet ende e hapur. Ardit Gjebrea njofton se rezultati i saj do të  mësohet më 15 shtator kur programi “E Diela Shqiptare” të nisë sezonin e ri në Tv Klan.

/tvklan.al