Spitalet në të gjithë vendin që nga 1 janari i vitit 2009 do të funksionojnë në bazë të skemës së re të Sigurimeve Shëndetësore, sipas të cilës të siguruarit do të përfitojnë falas shërbim shëndetësor bazë ndërsa të pasiguruarit do të paguajnë atë në bazë të kostos reale.
Skema e re që pritet të implementohet u diskutua në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të sistemit shëndetësor. Sipas drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve të kujdesit Shëndetësor Elvana Hana autonomia është baza e funksionit të kësaj skeme.
Elvana Hana: “Ne do të punojmë në shndërrimin e spitaleve në institucione shëndetësore autonome me pavarësi juridike, administrative dhe financiare. Spitali do të jetë një person juridik, publik jo buxhetor me status të veçantë. Do të ketë institucione të drejtuara me drejtorë, drejtori ekzekutiv do të luajë në rol kyç. Kontrata do të jetë njëvjeçare fillimisht me Institutin e Sigurimeve.”
Reforma në sistemin shëndetësor, që përfshin decentralizimin e fondeve për spitalet, si dhe nisjen e skemës së re për shërbimet bazë, erdhi pas një sërë problemesh të vërejtura në sistemin tonë shëndetësor.
Anila Godo: “Ndër problemet më kryesore të shërbimit spitalor do të rreshtoja mungesë në medikamente materialeve konsumi, aparate të fjetura në kuptimin të pavëna në përdorim ose jashtë funksionit prej kohësh, shërbime të mangëta, shërbime të munguara, personel jo gjithnjë me profesionalizmin e pretenduar dhe administrim jo në përshtatje me kërkesat e kohës dhe me efikasitetin e pretenduar.”
Përsa i përket skemës së re që do të ndjekin spitalet nga janari i vitit që vjen, pritet që të ketë më shumë efikasitet në shërbim pajisje dhe medikamente. Në skemë janë përfshirë vetëm disa nga shërbimet bazë ndërsa mendohet të përjashtohet shërbimi i urgjencës, i cili do të jetë falas për të gjithë./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami