Brenda një kohe të shkurtër, cilësia e karburanteve në tregun shqiptar do të ndryshojë.
Me kronikat tona ne kemi përcjellë herë pas here shqetësimin e konsumatorëve për cilësinë jashtë standardëve të lëndëve djegëse që përdorin për makinat tona.
Nisur nga ky shqetësim, Ministria e Ekonomisë dhe vetë importuesit kanë vendosur të ndërmarrin një plan masash për të ndryshuar situatën.
Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti në një intervistë për Klan fajëson tregtarët e vegjël për cilësinë e karburanteve që gjejmë në treg.
Sipas tij për të patur përfitime më të mëdha financiare, tregtarët e vegjël bëjnë përzierje të lëndës djegëse që vjen me cilësi të lartë nga importi me lëndë të tjera me kosto të ulët.
Dritan Prifti: “Ne me shoqatën kemi vendos 2 gjëra që janë të rëndësishme. E para meqë është dhe kërkesë ligjore do të kërkohet që çdo stacion karburanti në të gjithë Shqipërinë të ketë tabelën e importuesit. Në qoftë se do të ketë tabelën e importuesit çdo stacion karburanti, importuesi nuk do ta lejojë kurrë atë stacion të përziej karburantin dhe të hedhin ë treg një karburant ndryshe nga ai që sjell importuesi. E dyta inspektorati qendrorë teknik që varet nga kjo ministri do të rrisi kontrollet, cilësinë e kontrolleve po do të rrisi dhe investimet për të patur mundësi për ta kontrolluar më mirë. Në qoftë se sot në Shqipëri ka vetëm 1 laborator që bën analizat e të gjithë karburanteve të importit të karburanteve nëpër Shqipëri, unë do t’i kërkoj qeverisë që me buxhetin e viti 2010 ne të mbështetemi për t’i shtuar këto, për të bërë të paktën 4 laborator në Shqipëri. Mund të propozojmë ashpërsi të sanksioneve deri në heqjen e lejeve të tregtimit, të karburanteve dhe të subjekteve që abuzojnë”.
Por cilësia nuk është i vetmi shqetësim i konsumatorëve shqiptar. Drejtuesit e automjeteve në vendin tonë blejnë karburant me një cilësi që lë shumë për të dëshiruar dhe me çmim nga më të lartit në rajon.
Përveç masave për të kontrolluar cilësinë e karburanteve në treg, ministri i ri i ekonomisë ka dhe një projekt për të kontrolluar çmimet e tyre.
Dritan Prifti: “Ne do të studiojmë mundësinë që dhe kjo lloj tregtie të futet në punën e entit rregullator të energjisë. Deri tani nuk është rregulluar apo i kontrolluar, apo i monitoruar çmimi i karburanteve. Është çmimi i energjisë elektrike dhe i gazit, do ta përfshijmë dhe.. mendojmë ta përfshijmë dhe këtë sektor brenda entit rregullator dhe atëherë do të kemi një institucion i cili do ta monitoroj çmimin për të eliminuar abuzimet. Do të mbetet sigurisht një tarifë, një marzhë fitimi për kompanitë në biznes por nuk do të ketë abuzime”.
Deri tani në tregun shqiptarë të hidrokarbureve, çmimet rezultojnë të jenë më të lartat në rajon dhe në botë.
Ndërsa rritja e çmimeve në tregun botërorë të karburanteve reflekton në mënyrë të menjëhershme në tregun vendas, nuk ndodh e njëjta gjë kur në tregjet e huaja çmimet bien në dysheme./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka