Krahas çmimeve të larta të karburanteve që nuk reflektojnë ndryshimet në bursat ndërkombëtare, shqetësimi në Shqipëri mbetet edhe cilësia. Një fakt të tillë e pohojnë vetë konsumatorët.

Gazetari: Si ju duket cilësia e karburantit të cilin përdorni për makinën tuaj?

“Shumë i keq”.

Gazetari: Pse dilni në këtë konstatim?

“Erërat, tymrat, dmth, nuk është cilësia e mirë që përdoret…”.

“Për mua benzina është shumë e keqe. Ja dëgjoje vetë makinën si dridhet.”

“Po edhe makina dëmtohet.”

Problemet e vërejtura nga konsumatorët në lidhje me cilësinë e karburanteve i pohojnë edhe specialistët pranë Inspektoratit Qendror Teknik.

Sipas kreut të këtij institucioni, Ilir Kurti, nga kontrollet e ushtruara këtë vit tek pikat e pakicës në të gjithë vendin rezulton se vetëm 30 prej tyre kanë abuzuar me cilësinë, por kjo shifër konsiderohet brenda standardeve.

Ilir Kurti: “Përsa i përket respektimit të këtij standardi në shitjen me pakicë është brenda normave, dmth është rreth 3% e tregut ka lëvizje nga ky standard që konsiderohen rreth 1 mijë pika karburanti që ka në Shqipëri, dmth rreth 30 pika nuk e respektojnë këtë standard shqiptar. Pati një tendencë rritjeje, arriti deri në 5% në muajt e parë të dimrit të këtij viti”.

Cilësia e karburanteve është edhe një prej shkaqeve të ndotjes së mjedisit. Sipas kryeinspektorit këtë vit vihet re një rritje e përdorimit të naftës D2.

Kjo për shkak të çmimit, por që e ndot mjedisin dhjetë herë më shumë krahasuar me naftën Eurodiesel./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro