Pas ditëve me mot të paqëndrueshëm dhe reshje shiu, fundjava e fundit e muajit Prill ka risjellë kthjellimet në vend.

Sinoptikani Hakil Osmani parashikon se muaji Prill do të mbyllet me diell.

“Kjo fundjavë do të sjellë mot të qëndrueshëm në gjithë vendin tonë, duke bërë që të kemi prezent kthjellimet”, tha Osmani.

Kjo fundjavë duket si ideale për ta kaluar në natyrë apo plazh, pasi edhe temperaturat janë rritur ndjeshëm.

“Fundjava dhe fillimjava sjellin temperatura të larta në vendin tonë, që janë deri në 7 gradë më të larta sesa duhet të regjistrohen në Prill. Duhet të jenë rreth 20 apo 21 gradë Celsius, priten temperatura edhe në 28 gradë Celsius.”

Por me nisjen e muajit Maj, në territor rikthehet sërish moti i paqëndrueshëm.

“Do të kemi herë pas here zhvillime të vranësirave duke bërë që të kemi prezente reshjet e shiut, parashikohet që të ketë ditë edhe me rrebeshe shiu kryesisht në veri dhe veriperëndimore”.

Edhe temperaturat në javën e parë të majit do pësojnë rënie, me maksimumin që shkojnë deri në 23 gradë Celsius.

Tv Klan