Pas ngjarjes tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli”, një nga aktorët kryesorë që është cilësuar si hallkë që  s’funksionoi në parandalimin e ngjarjes, është oficeri i sigurisë. Valbona Biba, e ftuar në “Gjenerata Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, mban këtë detyrë dhe thotë se në rastet kur janë në 9-vjeçare, është më e vështirë të merren masa pasi quhen minorenë sepse nuk ka baza ligjore për penalizimin.

Renisa merr fjalën dhe është e mendimit se zgjidhja më e mirë është lajmërimi i prindit të fëmijës. Më tej, ajo vijon me shumë trishtim dhe tronditje, të përshkruajë ndjesitë e kësaj jave me marrjen e këtij lajmi.

Renisa: Siç tha edhe oficerja e sigurisë që ne nuk kemi ç’u bëjmë për sa kohë quhen minorenë, por pikërisht ngaqë janë minorenë lajmërimi i prindit dhe dorëzimi i fëmijës në një situatë të nxehtë te dora e  prindit, për mua do të ishte zgjidhje perfekte. Pra prindi për sa kohë është fëmija i tij, për sa kohë është minoren, i thua do të vish të marrësh fëmijën tënd vetë, personalisht sepse unë nuk e lë dot të lirë të endet rrugëve, sikurse ndodhi me fëmijën tani që njëri duhej të bëhej viktimë që ne të mblidheshim dhe të  diskutonim një situatë kaq të rëndë. Më vjen keq ta them, por në hapësirën e parë që mua m’u dha të flisja këtu, thashë që duhet t’u kushtojmë më shumë rëndësi paraadoleshentëve, pikërisht kësaj grupmoshe. Më vjen shumë keq ta them por sot m’u desh ta shoqëroja këtë argument me këtë lloj evidence, është shumë skandaloze, nuk dua as ta mendoj, është moshatar i motrës sime.

Realisht na pyetët si ka qenë kjo javë për ne, mund të them ndër më të vështirat sepse jo gjithmonë duhet të jetë një person shumë i afërt yni që ne të prekemi ashtu sikurse ju prindërit keni menduar mund të ishte fëmija jonë dhe ne mendojmë po sikur të ishte motra ime, po sikur të isha unë. Shumica e prindërve përqafuan fëmijët e tyre, mami më përqafoi, babi është jashtë dhe nuk kishte mundësi të më përqafonte e gjatë gjithë kohës mendoja ndoshta edhe ato raste dështimi në prindërim vijnë edhe nga fakti që njëri nga prindërit detyrohet për t’i siguruar ato të mira materiale, për t’i blerë bukën dhe jo… më vjen keq ta them, arkivolin fëmijës në darkë, të emigrojnë për të siguruar ato  të mira materiale që t’i rrisin ato fëmijë dhe ndoshta jo gjithmonë u mjafton koha që t’i mirëedukojnë ata dhe ndoshta këtu edhe mësuesit duke qenë se kanë mjaftueshëm akses te ne, bashkë me stafin psiko-social le të përpiqen të bëjnë një punë më shumë se sa shkencore, edukuese me ne./tvklan.al