Në qytetin e Prizrenit është mbajtur edicioni i radhës i garës tradicionale të rafting me goma të traktorëve apo kamionëve në këtë lumë.
Gara është një aventurë emocionuese e organizuar në kuadër të festivalit të 20-të BunarFest që mbahet në lumin Lumbardh. Këtë vit garuan rreth 100 konkurrentë.
“BunarFest është vazhdimësi e traditës e cila është aplikuar në Prizren. Persona të ndryshëm të lagjeve rreth Lumbardhit e kanë aplikuar këtë lëshimin me goma këtu në Prizren. Shoqëria ime para 20 vitesh bashkë me mua e kemi vendos ta bëjmë këtë garë dhe prej vitit të parë e kemi parë që është shumë tërheqëse. Prej 20 vitesh kjo organizohet në këtë formë që po e shikoni tani.”
Garuesit nga Kosova dhe vendet e tjera përjetuan momente emocionuese dhe ndonjëherë sfiduese duke ndjekur rrjedhën e lumit.
“Ishte ngjarja më e çmendur që kam bërë në jetën time. Nuk kam marrë pjesë kurrë në një gjë të tillë më parë. Në mëngjes kisha shumë frikë dhe thashë me vete më duhet një gotë raki. Ishte përvoja më e çmendur dhe më e bukur që kam bërë ndonjëherë. Ishte e mrekullueshme. Më pëlqeu shumë. Kisha frikë nga shkëmbinjtë dhe uji i ftohtë, por ishte e mrekullueshme. Për mua zgjati pak, doja të zgjaste më shumë dhe pres që të vi sërish vitin tjetër.”
“Në fillim kisha frikë dhe më pas ishte e lehtë. Ishte një kënaqësi e tillë që më bëri të dukej se gara ishte shumë e shkurtër. Ishte një gëzim i madh për ne.”
“Sot kishim Buna Fest dhe unë kam pesë vjet që marr pjesë në këtë eveniment. Edicioni i sotëm ishte i mrekullueshëm.”
Sportistët e suksesshëm u shpërblyen me medalje dhe më e shpejta ishte braziliania Mafuxinha Monteiro.
Gara zgjati rreth një orë dhe ka ngjallur shumë interes tek vendasit, por edhe turistët. Në kuadër të festivalit, u mbajtën po ashtu edhe koncerte dhe aktivitete pastrimi në shtratin e lumit Lumbardh.
Klan News