Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nga paditës, Fatos Nano dhe stafi i tij janë kthyer në të paditur. Avokatja e gazetës “Koha Jonë” dhe botuesit Lesi, ka paraqitur në proces një padi, ku kërkohet dëmshpërblim për gazetën. Sipas mbrojtjes, duke paditur për shpifje, Nano ka bërë që gazetës “Koha Jonë” t’i ulet tirazhi i shitjes dhe numri i reklamave, kryesisht shtetërore.

Avokatja: “Vendosja e këtyre dy koncepteve denigruese për një gazetë, e cila si shoqëri tregtare jeton vetëm nëpërmjet tregut, i shkakton dëm shoqërisë tregtare “Koha Jonë”, sepse që të dyja ulin personalitetin publik të saj, duke reflektuar dëmshëm në dy drejtime, në tirazhin, e sidomos në publicitetin e saj”.

Avokati i kryeministrit Nano ka kundërshtuar kundërpadinë, duke kërkuar prova më konkrete për argumentimin e saj dhe duke shprehur, se padia e tyre nuk është propaganduar në publik.

Avokati: “Nuk kemi bërë asnjë anti-reklamë, asnjë anti-publicitet përkundrazi, ka qenë vetë pala e paditur që ka vazhduar dhe pas këtij shkrimi, me shpifje dhe me fyerje në vazhdimësi dhe është ajo që ka bërë ato komentet për gjyqin shoë, e të tjera me radhë”.

Gjyqtari Gert Hoxha ka vendosur që gjykata të mos pranojë për shqyrtim, padinë e Lesit, kundër Nanos, pas kësaj, avokat Ngjela ka braktisur sallën e gjyqit.

Spartak Ngjela: “Ne u larguam nga gjyqi, sepse ishte shkelje e rëndë në dhënien e drejtësisë, ka shkelur të gjitha normat, kjo tregon pa personalitet, ishte e kotë të vazhdonim, ne vajtëm të bënim gjyq, kurse ai gjyqtarë iu drejtua arbitraritetit, të vazhdojë çështja sipas gjithë procedurave ligjore, për të drejtën në përgjithësi këtë radhë. Ne nuk mund të vazhdonim gjyqin pa gjykimin e kundërpadisë, e cila natyrisht që do të gjykohet”./tvklan.al