Lajme Arkiva 2003

Procesi gjyqësor për prishjen ose jo të kullave të ndërtuara nga firma arabe Hawai Alb, po shkon drejt fundit. Pas 2-3 muajsh ndërprerje u zhvillua seanca për administrimin e provave shkresore nga të dy palët pjesëmarrëse në këtë proces.

Këshilli i Rregullim Territorit i përfaqësuar nga juristë të Bashkisë së Tiranës është paditur nga pronari i Hawait, El Sayed Metuali për vendimin sipas tij të padrejtë për prishjen e kullave.

Palë me të janë bërë edhe rreth 200 familje, të cilat kanë barë pagesën e apartamenteve në të  dy kullat në lagjen Selitë të kryeqytetit në shuma që shkojnë deri në dhjetëra milionë Lekë.

Të dy palët kanë dorëzuar provat e fundit dhe kanë shprehur secili pretendimet e veta për këtë çështje. Gjykata e Apelit shënoi ditën e premte për marrjen e vendimit nëse do të prishen ose jo kullat Hawai.

Në fillim të këtij viti Gjykata e Rrethit të Tiranës vendosi të quaj të drejtë vendimin e KRT-së për prishjen e kullave me arsyetimin se ato ishin ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Ai u ankimua ne Gjykatën e Apelit vendimi i së cilës pritet të jetë i formës së prerë./tvklan.al