Këto janë tapitë e para masive që përfshijnë gjithë territorin e vendit, të cilat shënojnë finalizimin e procesit të vështirë të legalizimit të zonave informale.
4. 500 të tilla do të jenë në duart e qytetarëve brenda një jave. Vete kryeministri Berisha u ka shpërndarë pronarëve tapitë e para.
Kryeministri e ka cilësuar këtë proces si një hap të rëndësishëm urbanizimi duke themeluar Shqipërinë e shekullit të 21-të.
Sali Berisha: “Është thyer fenomeni. Në ecurinë e tij që zvogëlon çdo ditë e më shumë Shqipërinë rurale dhe e shndërron atë në Shqipëri urbane. Është ky fenomeni që fuqizon potencialin e qyteteve tona. E vërteta është që në këtë rrafsh themeloi Shqipërinë e shekullit të 21”.
Kreu i agjencisë së legalizimeve, Shaban Memia, tha se nga ky proces do të futen në tregun e banesave gati 10 miliardë dollarë, që deri më tani kanë qenë të ngrira.
Sipas Memisë, krahas 4 500 të parave, 12 mijë tapi të tjera do të shpërndahen brenda një kohe të shkurtër, pasi për to është kompletuar dokumentacioni.
Shaban Memia: “Përcakton parcelat tatimore, vendoset informacioni që lidhet me nomenklaturën e sistemit të pasurive, plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe miratohet në qeveri kalimi i pronësisë. Deri në këtë moment janë miratuar 16,396 pasuri dhe njëkohësisht për 16 mijë prej tyre janë përllogaritur detyrimet financiare dhe janë tek qytetarët”.
Në të gjithë vendin ALUIZNI ka identifikuar mese 270 mijë objekte informale të vetëdeklaruara për të cilat po përgatiten dosjet përkatëse për t’i hapur rrugën legalizimit të tyre të plotë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro