Fjalimi i parë i Donald Trump në këtë mandat para një publiku ndërkombëtar. Ai iu drejtua Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku zhvendosi retorikën e ashpër dhe paralajmërimet për tarifa ndëshkuese tregtare.

Presidenti amerikan paralajmëroi hapur elitat globale në një videomesazh: Prodhoni në SHBA ose paguani tarifa. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trumpi prezantoi gjithashtu planet për të ulur taksat, inflacionin, hequr kufizimet nga industritë dhe për të goditur emigracionin e paligjshëm. Por, ai lëshoi dhe një mesazh të ashpër.

“Ejani prodhoni në Amerikë dhe ne do t’ju ofrojmë taksat më të ulëta se në çdo komb tjetër.Por, nëse nuk e prodhoni produktin tuaj në Amerikë, që është prerogativa juaj, atëherë shumë thjesht do të duhet të paguani një tarifë”, shtoi ai.


Në fjalimin e tij të gjatë, Trumpi shpalosi jo drejtpërdrejt edhe vizionin e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kur bëri një lidhje midis agresionit të Rusisë dhe çmimeve të naftës. Këtu, ai i kërkoi Arabisë Saudite dhe OPEC-ut, Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, të ulnin çmimet e naftës së papërpunuar.

“Nëse çmimi do të ulej, edhe lufta Rusi-Ukrainë do të përfundonte menjëherë”, tha ai.

“Unë dua të takohem së shpejti me presidentin Putin për t’i dhënë fund asaj lufte.Dhe kjo dëshirë nuk lidhet me ekonominë apo ndonjë gjë tjetër. Kjo lidhet me jetët e miliona njerëzve që po humbasin… Është një masakër. Dhe seriozisht ne duhet ta ndalojmë atë luftë.”

Pas fjalës së Trumpit, çmimi i naftës ra menjëherë në bursa me mbi 1%.

Disa prej kritikave më të ashpra u rezervuan për aleatët tradicionalë të ShBA-së, Kanadanë dhe Bashkimin Europian, të cilët ai i kërcënoi sërish me tarifa të reja, ndërsa qortoi politikat e tyre të importit duke i fajësuar për deficitin tregtar të SHBA-së.

Megjithatë ai garantoi furnizim të vazhdueshëm të Europës me LNG gaz të lëngshëm.

Klan News