Lajme Arkiva 2003

Institucionet përgjegjëse ende nuk kanë sqaruar alarmin e përhapur për hyrjen e produkteve të modifikuara gjenetikisht në vendin tonë. Agjencia amerikane IFDC e akuzuar se ka marrë përsipër të sjellë në Shqipëri produkte të modifikuara gjenetikisht, e ka pritur me shqetësim lajmin, por deklaron se do të prononcohet në ditët e ardhshme.

Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë nuk i konsideron akuzat e OJQ-ve si realiste por do të sqaroj në nivel ekspertësh çështjen nesër në një konferencë për shtyp.

Ministria e Mjedisit shprehet se nuk ka dijeni për çështjen por do të përpiqet të ndërhyjë nëse një gjë e tillë është e vërtetë, por kjo ndërhyrje do të jetë e pjesshme për sa kohë ligji për mbrojtjen e biodiversitetit që pritet të miratohet në parlament është i vetmi që ndëshkon hyrjen në vendin tonë të produkteve të modifikuara gjenetikisht.

“Me lidhjet aktuale që kemi aprovuar në parlamentin shqiptar, ministria e mjedisit do të mundohet të gjejë rrugët dhe mjetet për të kryer të paktën një studim të vlerësimit të impaktit miqësor dhe ndoshta të riskut me njerëzit, i cili do të na drejtojë ne për të marrë vendime të mëtejshme. Megjithatë nëse do të ishim më të sigurt, ligji që ne kemi çuar në parlament për biodiversitetin në një farë mënyre do të na hapte rrugën më të sigurt që ne këto mekanizma ti vinim në zbatim”.

Tre organizata jo qeveritare denoncuan në një konferencë për shtyp dje sjelljen në formë ndihmash të 16 mijë tonë misër dhe sojë të modifikuar gjenetikisht./tvklan.al