Pak ditë më parë në vendin tonë u identifikua dhe u izolua një fermë në fshatin Mëzes të Tiranës, e cila ishte vatër e gripit të shpendëve. Gripi i shpendëve rishfaqet në vendin tonë pas dy vitesh, megjithatë pavarësisht alarmit që është ngritur, Ministria e Bujqësisë ka njoftuar zyrtarisht disa herë se ka marrë masat e nevojshme dhe situata është nën kontroll.

Duke folur rreth kësaj teme, në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte i ftuar profesor Xhelil Koleci. Ai bëri thirrje se nuk ka vend për panik pasi gripi i shpendëve është vetëm një virus dhe jo një pandemi, duke theksuar që nuk është hera e parë që në vendin tonë shfaqet ky lloj virusi.

Xhelil Koleci: Është një situatë që kërkon vëmendjen e duhur, natyrisht nuk është fjala për panik. Nuk kemi të bëjmë me një pandemi, kemi të bëjmë me një risk, me një sëmundje infektive, që qarkullon në mënyrë të vazhdueshme në popullatën e shpendëve të egër, sigurisht që mund të qarkullojë dhe në popullatën e shpendëve të ujit. Herë pas herë ka shpërthime të kësaj natyre dhe në vendin tonë nuk është hera e parë, ka disa raste. Vetë natyra e sëmundjes është e karakterit shumë të shpejtë dhe përfundon në ngordhjen e shpendëve të infektuar, ka një shkallë jashtëzakonisht të lartë. Është një virozë me fatalitet të lartë, e cila shkakton sëmundje shumë të lartë, por dhe ngordhshmëria tek shpendët është shumë të lartë.

Profesor Xhelil Koleci sqaroi se kjo virozë nuk është shumë kërcënuese për njerëzit, rastet e infektimit të njerëzve janë shumë të pakta dhe sipas tij kjo ndodh vetëm në kushte të caktuara, pra në një kontakt shumë të ngushtë me shpendët e infektuar.

Aldo: Po tek njerëzit?

Xhelil Koleci: Tek njerëzit nëse infektohet natyrisht që përbën një risk të shtuar. Mund të shkojë në forma të rënda deri në fatale ndonjëherë, por fatmirësisht që të transmetohet tek njerëzit kërkon kushte të caktuara që do të thotë kontakt i ngushtë me shpendët e sëmurë që normalisht mjekët veterinarë të cilët janë në ballë të kësaj pune mund të jenë më të rrezikuarit, personat që punojnë në laboratorë, punonjësit që punojnë në pulari dhe fermerët.

Për sa i përket konsumimit të mishit të shpendëve që mund të jetë të infektuar nga virusi, profesor Xhelil Koleci tha se kjo nuk përbën problem pasi në momentin e gatimit të mishit virusi shkatërrohet./tvklan.al