“Ëndrra të mëdha në një kohë të trazuar”, kjo shprehje personifikon plotësisht stilisten e njohur nga Kosova, Blerina Kllokoqi Rugova. E ftuar në studion e emisionit “Rudina” në Tv Klan, ajo tregon se si në atë kohë profesioni i të qenit stiliste ekzistonte vetëm në imagjinata.
Në atë kohë kur tabutë ishin një mur i pakalueshëm për të realizuar ëndrrat e mëdha, Blerina dhe familja e saj arritën që t’i bënin ballë shumë vështirësive dhe të realizonin atë që konsiderohej herë e paarritshme dhe herë të tjera e pavlerë.
Rudina Magjistari: Ti ke ëndërruar të bëhesh stiliste në një kohë kur ishin të vështira për t’u realizuar apo jo?
Blerina Kllokoqi Rugova: Kjo jo vetëm që ka qenë e vështirë, por ka qenë edhe e paarritshme. Nëse ti kishe lindur për të qenë dizajnere e modës si shumë të tjera, ka qenë një prej profesioneve që ka qenë vetëm në botën imagjinare. Nuk do të mundje, vetëm nëse familja jote kishte besim shumë që ti mund t’ia dilje, vetëm atëherë mund t’ia arrije. Unë kam pasur fatin që kam pasur mamin dhe babin që më kanë përgatitur shumë dhe janë ndeshur me një mentalitet shumë ndryshe të Prishtinës ose të Kosovës, ku deri vonë babit i kanë thënë që po e bën vajzën rrobaqepëse, çfarë përfiton ajo prej saj e gjëra të tilla. E konsideronin si një profesion të panevojshëm për atë kohë. Ne kemi qenë tre dizajnerët e parë, që kemi depërtuar. Fati ka qenë që në atë kohë filluan njerëzit të ndryshonin, nuk shkonin më tek rrobaqepësi, por tek dizajneri. Sfidën më të madhe e kemi pasur kur vinin me fotografik, ne në fillim i kemi refuzuar kategorikisht derisa i kemi bindur që ne jemi dizajnerë dhe e krijojmë veshjen nga A në ZH, nuk e kopjojmë. Kjo ka qenë sfida e parë./tvklan.al