Lajme Arkiva 2003
E keqja më e madhe nga terrorizmi ende nuk ka ardhur. Këtë pohim e ka bërë drejtori i Qendrës Ndëruniversitare për Studimet e Terrorizmit në Uashington profesori Yonah Alexander.
Ai ka mbajtur një fjalim dhe më pas ka diskutuar me përfaqësues të disa komisioneve parlamentare këtu në Shqipëri. Në fjalën e tij profesori Aleksandër e ka cilësuar terrorizmin si një fenomen i cili nxitet te njerëzit duke u edukuar atyre urrejtjen.
Megjithatë ai shprehet se qytetërimi do të mbijetojë ndaj terrorizmit edhe pse ky i fundit do të ekzistojë pas 100 vitesh, ose të paktën për aq kohë sa do të jenë të ndezur konfliktet mes Palestinës dhe Izraelit apo konflikte të tjera në botë.
Shqipërinë profesor Aleksandër e shikon si një nga vendet me shumicë myslimane për të cilën duhet përmirësuar imazhi.
Yonah Alexander: “Shqipëria është një nga vendet potenciale për sa i takon terrorizmit sepse asnjë shtet nuk është i imunizuar ndaj tij, pra edhe ndaj strehimit të mundshëm të anëtarëve të Al-Kaedas dhe rrezikut që ata paraqesin për Shqipërinë. Prandaj të gjitha vendet duhet të marrin masat e duhura të sigurisë ndaj këtij fenomeni. Një çështje kyçe në luftën kundër terrorizmit është bashkëpunimi ndërkombëtar. Asnjë shtet, as Amerika e cila është një superfuqi nuk mund të reduktoj e vetme rrezikun ndaj terrorizmit. Kontributi i Shqipërisë në këtë sfidë vlerësohet nga komuniteti ndërkombëtar, Shqipëria shërben si një shembull për vendet e tjera në këtë aspekt”.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Rendin dhe SHISH-in Neritan Ceka tha se Shqipëria i ka marrë masat për të shmangur aktet terroriste që në vitin ’97.
Neritan Ceka: Gjatë vitit ‘98-’99 ne kemi goditur aktivitete të lidhura me terrorizmin në Shqipëri. Veçoria është se Shqipëria nuk ka shërbyer si bazë për përgatitjen e terroristëve. Terrorizmi ndërkombëtar e pat zgjedhur Shqipërinë veçanërisht në vitet ’92-’97 më tepër si një vend fshehje, maskimi nën aktivitete filantropike kryesisht.
Terrorizmi është shfaqur së fundmi në disa forma, atë biologjik, kimik bërthamor etj., një tjetër shfaqje shqetësuese e tij janë vetëvrasjet apo sulmet kamikaze ku një numër i madh i tyre janë gra./tvklan.al