Forcimi i aftësive drejtuese dhe përmirësimi i përzgjedhjes së personelit në burgjet shqiptare kanë qenë objektivat kryesor të projektit “Drejtimi human i burgjeve” i financuar nga Komisioni Evropian me një vlerë prej 400 mijë eurosh. Sipas Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në sistemin e burgjeve është bërë progres.
Enkelejd Alibeaj: “Vetë ky projekt, projekt i menaxhimit human i burgjeve ka sjellë një kontribut të rëndësishëm përsa i takon ngritjes së nivelit aktual të menaxhimit të sistemit të burgjeve. Në zhvillimin e standardeve për rekrutimin dhe trajnimin profesional të stafit. Njohjen më të mirë me të drejtat nga ana e të burgosurve dhe të para burgosurve.”
Ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan u ndal tek rëndësia e respektimit të të drejtave të të burgosurve, si një kusht themelor në respektimin e të drejtave të njeriut.
Helmuth Lohan: “Ky projekt ka qenë me të vërtetë një fillim i shkëlqyer duke qenë se burgjet nuk duhet të shërbejnë vetëm si qëllim i përkohshëm ndëshkimi por edhe të jenë një rikthim i sigurt i të dënuarve në shoqëri. Nuk ka dyshim që më shumë duhet bërë që të zbatohet ligji në të gjitha nivelet e qeverisjes.”
Në këtë konferencë ku u publikuan të dhënat mbi projektin “Drejtimit Human i Burgjeve” u theksua gjithashtu se në këtë drejtim mbetet ende punë për t’u bërë, kryesisht në shtimin e kapaciteteve./tvklan.al