Kjo është një pamje që mund ta ndeshësh rëndom në të gjitha qytetet e vendit. Stacionet e linjave interurbane nuk plotësojnë asnjë kusht për një udhëtim komod dhe parametra normale. Projektet për ndërtimin e terminaleve kanë dështuar, duke e kthyer transportin publik në një gangrenë për të gjithë ata që janë të detyruar të zgjedhin këtë shërbim.
Enkelejda Arapi: “Ndodhem në Durrës pikërisht në vendin ku është projektuar për tu ndërtuar terminali interurban i autobusëve. Aktualisht siç mund të shihet dhe nga pamjet, situata është e rënduar pasi udhëtarëve nuk i ofrohen kushtet e duhura.”
“Unë konkretisht tani po kontrolloj, cili është për këtu cili është për atje edhe për oraret duhet të pyesësh.”
“Nuk është një stacion sot për sot i ndërtuar apostafat për autobusët.”
Me gjithë shqetësimin, projekti për ndërtimin e një terminali duket se do të mbetet gjatë në sirtarët e bashkisë.
Vangjush Dako: “Është një projekt i kushtueshëm, është në planet tona, jemi gati, por me buxhetet tona nuk mund ta realizojmë dot.”
Ornela Hila: “Jemi në stacionin e autobusëve interurban këtu në qytetin e Vlorës, ky pseudo stacion nuk ka kushtet më minimale higjeno-sanitare, por edhe praktike qoftë për pasagjerët, por edhe për drejtuesit e automjeteve.”
“ Kushtet këtu janë shuam të vështira, janë anti higjienike për pasagjerin dhe është jashtë qytetit.”
“Po këtu pashë autobusë dhe këtu erdha.”
“Stacioni njëherë është zero, bashkia e Vlorës kadiun.”
Edhe për bashkinë e Vlorës ndërtimi i një terminali nuk është në projektet e afërta.
Ardia Musta: “Ne kemi pasur takim me institutin e studimeve të transportit pranë ministrisë së Punëve Publike dhe transporti me të cilët kemi rënë dakord që bashkia Vlorë do të vëri n jë sipërfaqe prej 5 mijë katror në dispozicion dje ata do të bëjnë projektin, do të gjejmë dhe investimet për ngritjen e një terminali modern për autobusët.”
Daniela Zisi: “Nuk bëhet fjalë për një terminal, por vetëm për një vendparkimi të përcaktuar nga bashkia në një prej arterieve kryesore të qytetit të Korçës dhe në këtë vendparkimi mungon infrastruktura minimale jo vetëm për mjetet, por edhe për udhëtarët.”
“Më vjen keq që qyteti i Korçës është katandisur në këtë gjendje, siç e shikoni vetë, ktheje kamerën shikoje këtu. Këtu pyet pasagjeri, pasagjerin se ku duhet të shkojnë. Shikoje këtu nuk gjen një tabelë që ta marri vesh se ku do të shkojë njeriu.”
“Për njerëzit që nuk vijnë ndonjëherë e kanë të vështirë, pyesin, me të pyetur. Po kur ke tabelat, ke atë vendin është më saktë.”
Kushtet skandaloze pranohet dhe nga vetë autoritetet lokale të cilët shohin si zgjidhje të vetme investimin nga vetë privatët.
Niko Peleshi: “Është një terminal, të themi kështu primitiv. Një terminal për autobusët interurban duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet, jam i bindur duke u bazuar në iniciativa private.”
Simon Shkreli: “Ndodhemi në qendër të qytetit të Shkodrës në vendqëndrimin e autobusëve të linjave interurbane. Mungesa e një terminali ku çdo udhëtar duhet të ketë informacionin e duhur për oraret dhe linjat shkakton jo në pak raste edhe pritje të gjata.”
“Vetëm rastësisht duke pyetur.”
“Dikush del e bërtet në një cep rruge, dikush del e bërtet në një cep rruge tjetër, njëri andej tjetri këtej.”
Autoritetet e pushtetit lokal nuk pranojnë të flasin për këtë problem, por thonë jashtë kamerës se ndërtimi i një terminali është në projektet e bashkisë. Ky është stacioni i autobusëve në qytetin e Fierit, pamje flasin vetë atë çka ofron ky stacion.
Eriselda Çobo: “Ne nuk kemi pasur forcën për të gjetur zgjidhje pasi nuk janë hapësirat e tilla për të krijuar, nuk ka sot një hapësirë publike dhe një shesh aq të madh sa të mbledhësh autobusët sepse nuk i ka bashkia këto asete dhe ajo zgjidhje që është bërë është një zgjidhje provizore.”
Në Gjirokastër situata është dhe më alarmante, stacioni i autobusëve është në anë të rrugës nacionale ndërkohë që duket se një fakt i tillë nuk shqetëson aspak autoritetet lokale./tvklan.al
Gazetar: Leonard Mitro