Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ky ambient i Poliklinikës numër 10 të Tiranës, do të shndërrohet brenda muajit Qershor në poliklinikë dentare, ku fëmijët e moshave nga 0-18 vjeç do të kurohen pa pagesë. Është një urdhër i Ministrit të Shëndetësisë Solis, i dalë në Janar të këtij viti, i cili parashikon ngritjen e klinikave dentare të përqendruara dhe kurimin në to të fëmijëve, si të qytetit ashtu dhe të fshatit.

Personeli i këtyre klinikave dentare, do të plotësohen nga dentistët që aktualisht punojnë nëpër shkolla të ndryshme. Ndërsa në dhomat dentare të ngritura pranë çdo shkolle do të punojnë tani e tutje vetëm ndihmësmjekët.

Mirela Bogdani:- “Tani në këto kabinete dentare, ku do të zhvillohet vetëm prevencioni dentar, do të aplikohen metodat preventive bashkëkohore të profilaksisë dentare. Kryesisht do të jetë e një rëndësie shumë të madhe edukimi dhe promocioni dentar”.

Vetëm në Tiranë deri në fund të këtij 6 mujori do të ngrihen dy poliklinika dentare, ndërkohë që projekti për ristrukturimin e shërbimit dentar publik do të shtrihet në të gjithë vendin./tvklan.al