Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave do të ketë në dispozicion edhe një periudhë 2-vjeçare për të trajtuar te gjitha dosjet me kërkesat për njohje dhe kthim pronë.
Ndryshimit ligjor në fjalë, iu hap rruga në mbledhjen e fundit të qeverisë ku u miratua dhe projektligji në bazë të kërkesës së mbërritur nga AKKP.
Kreu i kësaj agjencie pohon për Televizionin Klan se aktualisht numri i dosjeve me kërkesat e pronareve që nuk kanë marrë një përgjigje arrin në rreth 8 mijë.
Elvis Çefa: “Parashikimet e ligjit aktualisht në fuqi për përmbylljen e procesit të njohjes dhe Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në datën 30 qershor 2009 nuk u realizua dot. Në atë gjendje rezultojnë që janë rreth 8000 kërkesa të subjekteve të shpronësuara, ta paraqitura brenda afatit ligjor, fundin e vitit 2008 për të cilat nuk është dalë akoma me vendim sipas një detyrimi ligjor që ka Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në këto kushte duke bërë dhe një parashikim nga vetë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, u ra dakord që t’i propozohet këshillit të ministrave pikërisht shtyrja e datës edhe për 2 vjet të tjera.”
Funksionimi i AKKP sipas kreut te saj, do të jetë edhe me efiçent fale edhe ndryshimit për shkrirjen e agjencive rajonale.
Elvis Çefa: “Me miratimin e ligjit, vendimet fillestare do të merren nga Agjencia këtu në qendër dhe zyrat tona rajonale në qarqe do pushojnë së ekzistuari. Në këtë mënyrë përshpejtohet dukshëm procedura e trajtimit me vendim të kërkesave në gjendje. Subjektet tashmë nuk kanë pse të presin edhe ankimin administrativ apo shqyrtimin administrativ të një vendimi të dhënë nga zyra rajonale.
Projektligji për disa ndryshime ne funksionimin e AKKP i miratuar nga qeveria pritet të votohet në Parlament./tvklan.al
Gazetar: Fjoraldi Zguro