Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave ka shpallur listën me subjektet e shpronësuara qe përfitojnë nga kompensimi financiar për vitin 2009.

Drejtori i kësaj agjencie, Elvis Çefa, tha se fondi i vene ne dispozicion këtë vit për here te pare kapi shifrën prej rreth 10 milion eurosh. Sipas tij nga 521 kërkesa te depozituara, fituese janë shpallur 211 prej tyre.

Elvis Çefa: “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave ka përfunduar sot shqyrtimin e 521 kërkesave për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara nga fondi i vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare. Është fondi më i madh i të gjitha kohërave i vënë në dispozicion nga qeveria për subjektet e shpronësuara. Vetëm për këtë vit është 1 miliard e 274 milion lekë, pra afërsisht 10 milion euro. Subjektet qe kanë rezultuar fitues janë 211”.

Kreu i AKKP-se ka shpjeguar dhe arsyet qe çuan ne përjashtimin e gati gjysmës se kërkesave për kompensimin financiar te depozituara pranë kësaj agjencie.

Elvis Çefa: “Subjektet, të cilat nuk kanë rezultuar fitues janë skualifikuar për arsye se nga verifikimet tona ka rezultuar që ato mund të kenë përfituar kthim prone me atë vendim për të cilin kanë amplikuar apo me një vendim tjetër. Gjithashtu mund të ketë rezultuar që kanë përfituar ata vetë apo trashëgimtarët e tyre nga ligji 7501 për tokën. Po ashtu mund të ketë rezultuar që kanë përfituar nga kompensimet financiare të mëparshme.”

Pronaret te shpallur fitues do te duhet te paraqesin pranë AKKP prej se mërkurës se ardhshme, numrin e llogarisë ku do te derdhen shumat respektive./tvklan.al