Bojkoti parlamentar i PS dëmton jo vetëm popullin shqiptar, por edhe vetë aspiratat e vendit për integrimin evropian. Kjo është kryefjala e projektrezolutës së grupit monitorues të Këshillit të Europës për angazhimet dhe detyrimet demokratike të vendeve anëtare.
Në projektrezolutën e përpiluar nga zoti Jaakko Laakso dhe David Wilshire, i bëhet thirrje qeverisë që të ngrejë një komision parlamentar që të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar dhe opozitës i kërkohet që të kthehet në parlament e të bashkëpunojë plotësisht me këtë komision.
Ky bojkot dhe mungesa e dialogut, vëren ekipi monitorues i Këshillit të Europës, dëmton funksionimin e institucioneve demokratike. Këshilli i Europës thekson edhe njëherë se dialogu politik duhet të kryhet në parlament e jo në rrugë.
Në raport thuhet gjithashtu se bojkoti i opozitës ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. Ky organ i rëndësishëm i bllokut 27 anëtarësh këshillon që të gjitha palët të heqin dorë nga retorika nxitëse sepse ajo mund të destabilizojë vendin.
Po kështu thuhet se është e rëndësishme që të theksohet fakti se deputetët duhet të zënë vendet e tyre në Kuvend brenda 6 muajsh siç parashikon kushtetua. Në këto kushte Asambleja e Këshillit të Europës angazhohet të japë ndihmën e saj në përmirësimin e klimës politike në Shqipëri dhe vendosjes së themeleve të një dialogu politik. Projektrezoluta do të votohet në Asamblenë e Këshillit të Europës në seancën e 28 janarit./tvklan.al