Prokurorët për çështjen e tenderit të pasaportave kanë kërkuar nga gjykata shpalljen fajtor për të pandehurit e kësaj dosje. Sokol Stojani dhe Albert Demirnel në konkluzionet përfundimtare konsiderojnë se firma Gjermane është favorizuar në përzgjedhjet në tender, më pas kjo firmë është lehtësuar nga pagesa e detyrimeve fiskale në ndryshim nga deklarimi i bërë në konkurim se do të paguante dhe taksat.
Ish zv/ministri Himçi dhe ish drejtori i prokurorimeve Aliaj janë cilësuar fajtor edhe për falsifikim dokumentacioni. Në fund prokurorët kanë kërkuar 4 vjet heqje lirie për ish zv/ministrin e Rendit Bujar Himçi, 3 vjet për ish drejtorin e policisë Veli Myftari.

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Bujar Himçi, për veprën penale shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim, i ka sjellë një dëm ekonomik shtetin në shumën 1 milion e 395 mije 092,69 dollarë dhe në bazë të neneve 248/25 dhe 32 të Kodit Penal, dënimin e tij me 4 vjet burgim”.

Dënimi më i lartë është kërkuar për Edmond Aliaj, i cili gjykohet në mungesë. I konsideruar fajtor dhe për abuzime në tenderin e karburanteve për Aliajn është kërkuar 5 vjet heqje lirie.
Ndërësa drejtori i kontrollit financiar në kryeministri, Arben Prifti është kërkuar të dënohet me 2 vjet e 6 muaj heqje lirie. Prokurorët kanë cilësuar dëmin ekonomik për tenderin e pasaportave rreth 2.2 milionë dollarë. Avokatët e të pandehurve kanë kërkuar të paktën 5 ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen e tyre./tvklan.al