Prokuroria e Korçës kërkon dënimin me 4 vjet burg për ish – Drejtorin e Ujesjellësit Ersekë, Orest Malushi. Ai akuzohet për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas hetimeve të kryera në Shkurt të këtij viti, në një lokal në zonën e Kolonjës, ai i ka nxjerrë armën që mbante duke qëlluar në drejtim të shtetasit Z.B, i cili ka kryer dhe kallëzimin në Prokurori.
Në bazë të dëshmive të tij, sherri me ish – Drejtorin e Ujësjellësit ka nisur me Andrea Memellin, shofer i tij.
Të ulur në të njëjtin restorant, Malushi i ka thënë Memellit se përse e shikonte. Ky i fundit e ka sqaruar se nuk po shihte atë.
Kaq ka mjaftuar dhe Malushi ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në dysheme, vetëm një metër larg vendit ku ishte ulur Andrea Memelli.
Ndërkohë, Prokuroria kërkoi dënimin me gjobë nga 150 mijë deri në 450 mijë lekë të 5 personave të tjerë të pranishëm në këtë sherr. Ata kanë bërë deklarim të rremë dhe kanë penguar zbulimin e të vërtetës.
Tv Klan