Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se prokuroria ka ashpërsuar akuzën për autorin e dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli”.

Policia e kishte referuar për akuzën e vrasjes me dashje, por prokuroria e akuzon për vrasje në rrethana cilësuese. Ndaj tij rëndon edhe akuza e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.

Kujtojmë se ai u arrestu një ditë pas ngjarjes në spitalin privat, ku po kurohet për plagën që mori gjatë konfliktit. Ndaj tij rëndon edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Në rrjetet sociale autori ka treguar me krenari pak minuta pas krimit, thikën me të cilin vrau bashkëmoshatarin. Në video shfaqet dhe dora e tij e fashuar. Këto postime kanë sjellë reagimin e ashpër në komente të shokëve të viktimës.

Nxënësi 14-vjeçar u godit me thikë pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ pas një zënke që kishin pasur ditën e premte. Klan News mësoi se ata janë konfliktuar fizikisht edhe ditën e krimit në shkollë.

Sherri ndodhi gjatë pushimit të gjatë mes orëve të mësimit. Roja e shkollës ka arritur t’i ndajë, por vetëm kaq. Sherri i tyre rinisi pas mbarimit të orës së gjashtë.

Gjithashtu në këtë sherr mbeti i plagosur me thikë dhe shoku i viktimës, i cili ishte lajmëruar më herët për sherrin. Ai erdhi nga një shkollë tjetër që ndodhet në Sauk.

Mjekët thonë se ai ka një plagë në kraharor dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar në Spitalin e Traumës. I plagosur lehtë në dorë mbeti edhe vetë agresori, i cili po trajtohet në një spital privat në Tiranë./tvklan.al