14-vjeçari që 3 javë më parë vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij dhe plagosi një tjetër pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” ka ankimuar në Gjykatën e Apelit masën e sigurisë “arrest me burg”.

Përmes avokatit të tij mbrojtës, i mituri kërkon një masë më të butë sigurie se ajo e caktuar nga togat e zeza, duke pretenduar se veprimin e kryer ndaj viktimës, e ka bërë në kushtet e vetëmbrojtjes.

Pas këtij ankimi, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm pritet të hedhë në short trupën gjykuese që do shqyrtojë kërkesën e 14-vjeçarit. Prokuroria e Tiranës e akuzon të miturin akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj një të mituri, një nga akuzat me të rënda të Kodit Penal shqiptar.

Megjithatë për shkak të moshës, ai rrezikon deri në 12 vite heqje lirie. Konflikti mes dy 14-vjeçarëve nisi të premten e 15 Nëntorit dhe agravoi 3 ditë më vonë, në një sherr fizik ku u përdor edhe thika. Mëngjesin e kësaj të hëne, i plagosuri është dërguar për kurim në Itali.

Tv Klan