Lajme Arkiva 2004
Burimet zyrtare të prokurorisë së Durrësit, kanë sqaruar rrugën që ka ndjekur hetimin ndaj presidentit të Futboll Klub Dinamos deri në arrestimin e tij pasditen e djeshme.
Sipas këtyre burimeve nga Prokuroria e Durrësit, vetëm 10 ditë më parë në organin e akuzës është depozituar denoncimi i drejtorisë së përgjithshme të doganave ndaj administratorit të shoqërisë përparimi Mihal Delijorgji.
Materiali denoncues i drejtorisë së doganave është siguruar nga bashkëpunimi me komisionet përkatëse të eurodoganës, kryesisht asaj italiane.
Sipas këtij materiali, Mihal Delijorgji akuzohet për evazion fiskal dhe falsifikim të vulave zyrtare. Materiali denoncues bën të ditur se vetëm gjatë 6 mujorit të dytë të vitit 2003, kompania përparimi, ka importuar mbi 2000 ton hekur dhe i është shmangur detyrimeve doganore nëpërmjet faturave false duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 20 milionë lekë të reja.
Ndërkohë komisionet e anti kontrabandës në eurodogana, e kanë ndjekur prej vitesh aktivitetin e Delijorgjit.
Prokuroria në vazhdim të detajeve rreth akuzës ndaj tij, sqaron se vetëm në harkun kohor ‘99-2001, dëmi që kompania përparimi i ka shkaktuar shtetit është rreth 1 milionë dollarë. Nesër pritet që Delijorgji të dalë para Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, për të konfirmuar masën e sigurisë ndaj tij./tvklan.al