Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Prokuroria e Tiranës po heton në disa pista ne lidhje me vrasjen e shoferit të familjes së prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku. Njoftimi i zyrës së shtypit pranë kryeprokurorit dhënë vetëm 12 orë pas ngjarjes, publikonte si variant përfundimtar se vrasja është kryer pas nj grindje në rrethana banale të shoferit me vrasësin.

Por zv/kryeprokurori i rrethit të Tiranës Kosta Beluri, ka deklaruar në takimin zyrtar me gazetarët, se po hetohet edhe në pista të tjera. Kështu gjatë hetimit do të konsiderohen edhe motivet që kanë të bëjnë me vetë shoferin e ekzekutuar Genci Sina, si dhe me detyrën e tij si efektiv garde në mbrojtje të familjes Sollaku. Zv/kryeprokurori i Tiranës nuk ka dhënë asnjë detaj teknik të hetimit në lidhje me provat e siguruara deri tani, por është shprehur se nuk është bërë identifikimi i autorit të vrasjes apo shoqërueses së tij.  

Ndërsa nga burime policore deklarohet, se vrasësi pasi ka qëlluar me një plumb të vetëm shoferin Sina, ka marrë pistoletën dhe radion e policisë, objekte të Gardës së Republikës. Këqyrja dhe ekspertiza e kufomës së Genci Sinës, nxjerrin aktin se krimi është kryer me një të shtënë të vetme dhe në mënyrë shumë profesioniste.

Gryka e pistoletës është vendosur në pjesën anësore të trupit dhe është kryer qitje me trajektore të tillë që plumbi të përshkojë zemrën, duke dalë në afërsi të shpatullës. Kjo lloj qitje konsiderohet nga ekspertë kriminalë, si mjaft profesioniste, madje e përdorur në një nga atentatet e muajve të fundit në kryeqytet./tvklan.al