Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet për incidentet e ndodhura në Himarë ditën e zgjedhjeve vendore. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Ato theksuan se po hetohet me përparësi për incidentin ku një grup personash protestuan dhunshëm përpara KQZV-s së Himarës me flamuj Grekë nëpër duar dhe thirrje kundër Shqipërisë. Këta persona do të procedohen në bazë të nenit 268 të Kodit Penal, i cili e parashikon si kundravajtje penale poshtërimin e Republikës së Shqipërisë, si dhe simboleve të saj. Ky nen parashikon ndëshkimin me masë nga gjobë deri në dy vjet heqje lirie.

Prokuroria e Vlorës thotë se i ka indetifikuar tashmë personat që kanë organizuar këtë protestë e cila nga përfaqsues të politikës Shqiptare u cilësua mjaft e rëndë për vendin tonë.
Sipas kryetarit të KQZV-s së këtij qyteti, një pjesë e protestuesve kanë qënë emigrantë Shqiptarë të ardhur me autobus nga Greqia, të cilët kanë bërë presion që të shpallen sa më shpejt rezultatet e zgjedhjeve me fitues kandidatin e Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vasil Bollano. Si provë do të shërbejnë edhe dëshmitë e personave të tjerë që kanë parë çastet e protestës së dhunshme./tvklan.al