Pas rikthimit me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Antoneta Sevdari është paraqitur të hënën në Prokurorinë e Tiranës për të marrë detyrën e prokurores. Kjo pasi vendimi i Shkallës së Dytë të vetting-ut ka efekt të menjëhershëm.
Përveç rikthimit në detyrë, shteti shqiptar duhet t’i kthejë Sevdarit pagat e prapambetura që nga koha e përjashtimit të saj nga organet e drejtësisë më 28 shkurt 2019. Gjithashtu Gjykata e Strasburgut e gjobiti shtetin shqiptar me 25 mijë euro për proces të parregullt gjatë vlerësimit në 3 shtyllat e vetting-ut.
Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, gjeti shkelje gjatë vetting-ut të prokurores Sevdari. Ky vendim detyroi institucionet shqiptare të rishikojnë vendimin.
Antoneta Sevdari është e para magjistrate në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve që rikthehet në detyrë, pasi u shkarkua në kuadër të vetting-ut në drejtësi. Ajo u shkarkua nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë e bashkëshortit, por Gjykata e Strasburgut gjeti shkelje të nenit 8 të konventës dhe vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional” dhe në shkelje procedurale.
Gjithashtu gjykata theksoi se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk mund të kthehet në një referencë kundër procesit në terësi. Jo vetëm Sevdari, por një numër i madh prokurorësh dhe gjyqtarësh kanë kundërshtuar në Strasburg largimin e tyre nga drejtësia si të paligjshëm.
Klan News