Kolegji i Posaçëm i Apelimit riktheu në detyrë Antoneta Sevdarin, prokuroren e Tiranës, e shkarkuar në 2019 si pasojë e procesit të vettingut.

KPA, shkalla e dytë e procesit të vettingut, në vendimin e shkurtuar që lexoi këtë të premte, argumentoi se sa kohë Gjykata e Strasburgut konsideroi vendimin e shkarkimit të Sevdarit si jo në proporcion me qëllimin e vettingut dhe që kishte cënuar Konventën e të Drejtave të Njeriut, ata ishin të detyruar ta ndryshonin atë.

Vetë prokurorja Antoneta Sevdari e konsideroi vendimin si drejtësi të merituar.

“Sot është dita e drejtësisë dhe duke qenë e tillë unë mbetem e përkushtuar në shërbim të saj”.

Ky vendim shënon rastin e parë të rikthimit të një prokurori ose gjyqtari në sistem pasi ishte shkarkuar nga KPA.

Ky vendim ka bazë qëndrimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila ka dhënë edhe një tjetër vendim në lidhje me vettingun, ku sugjeron rishikimin e vendimit edhe për prokurorin Besnik Cani, si të gjykuar nga gjyqtar të zgjedhur në kundërshtim me ligjin.

Ky qëndrim i Strasburgut ka bërë që shumë prokurorë dhe gjyqtarë të bëjnë kërkesë për rishikim të vendimeve të dhëna nga KPA, me trup gjyqësore anëtarin e dënuar të kolegjit, Luan Daci.

Tv Klan