Panairi i 12-të i librit Tirana 2009 ka rrëmbyer vëmendjen e tërë lexuesve në këto ditë Nëntori.

Në stendat e shtëpive të ndryshme botuese promovohen një sërë titujsh. Shtëpia botuese “Migjeni” ka ekspozuar edhe serinë “Udhëtarë të huaj në Shqipëri”.

Tre librat e kësaj serie të promovuara në një nga sallat e panairit janë Shqipëria e lashtë që sjell studimet dhe rravgimet e arkeologut të njohur italian, Luigi Maria Ugolinit.

Për të zbuluar vendin tonë “Mjek tek Ali Pasha” i Henri Holland, i cili e evidenton Ali Pashën si një njeri që kërkon ta qytetërojë vendin që sundon me dhunë.

Interesante është edhe vepra e Uilliam Martin Lik “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”, përkthyer nga Nestor Nepravishta.

Neritan Ceka: “Këtu kemi një radhë jo vetëm informacionesh mbi historinë antike, por dhe mbi jetën e gjallë që Uilliam Martin Liku ka rast ta takojë kudo. Është ajo që na përshkruhet dhe nga Bajroni, vinin për të kërkuar një vend romantik, një vend ku akoma jetonte jeta të themi e romaneve kalorësiake dhe për të vazhduar me një personazh që është akoma më interesant me doktorin e Ali Pashës, Henri Holand, i cili më vonë bëhet mjeku i mbretëreshës së Anglisë, por që fiton shpirtin e egër të Aliut gjen një këngë të ndritur në këtë personazh, i cili gjithashtu ishte i dyfishtë në përpjekje për ta modernizuar vendin e tij”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, ka promovuar në një tjetër sallë të panairit librin e tij “Brenda dhe jashtë parlamentit”.

Në këtë botim prezantohen për lexuesit pjesë nga diskutimet në kuvendin e Shqipërisë, në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, shkrime, intervista, veprimtari politike e kulturore të zhvilluara në Vlorë nga deputeti Leskaj, që sikundër vetë autori i quan një dëshmi për votuesit e tij, dëshmia e aktivitetit të dy viteve të fundit 2007-2009.

“Kur jetës i bie rruga nga ti” titullohet përmbledhja me poezitë më të zgjedhura të poetes Mirela Sula, kryeredaktore e revistës “Psikologji”.

Me një stil të drejtpërdrejt e te sinqertë poetja Sula i këndon njeriut, faljes, dhimbjes për humbjen e të bijës që u lind dhe nuk u rrit dot, të cilës ia kushton edhe këtë vëllim.

Mirela Sula: “Janë rreth 6 vëllime poetike të përfshira në këtë libër. U dedikohet njerëzve që u kam dhënë pjesë nga jeta ime dhe që më kanë dhënë nga koha e tyre, por më së shumti që i dedikohet vajzës sime që e kam humbur vite më përpara dhe megjithëse kaloi shumë pak dhe ndenji shumë pak në jetën time ajo rrugë e bërë me të ka qenë jashtëzakonisht e bukur dhe inspiruese për mua.”

Interesi i lexuesve të grupmoshave të ndryshme duket i largët në mjediset e panairit, ku ekspozohen rreth 40 mijë ekzemplarë, ndër ta 1200 tituj të rinj për t’u njohur nga lexuesi./tvklan.al