Kur duhen edhe dy jave qe socialistet te mblidhen ne kongresin e tyre te jashtëzakonshëm, anëtari i kryesisë, Ben Blushi, i cili ende nuk e ka bërë publike ambicien e tij për kreun e Partisë Socialiste, ka prezantuar një pakete propozimesh qe synojnë ndryshime rrënjësore ne statutin e partisë.

Paketa me 10 pika sipas propozimeve te Blushit mendohet t’i kthejë frenat e drejtimit te partisë tek anëtarësia duke minimizuar rolin e kryetarit, qe aktualisht ka centralizuar pushtetin ne duart e tij.

Këto janë konkretisht propozimet e paketës Blushi:

1. Të forcohet roli i Kongresit të PSSH-së duke e bërë përbërjen e tij më përfaqësuese dhe të balancuar dhe duke i dhënë atij fjalën e fundit të miratimit të programit elektoral dhe kandidatëve të PSSH-së në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme.

2. Të pasurohet përbërja e Asamblesë Kombëtare, duke gjetur një ekuilibër mes prurjeve të reja në parti dhe njerëzve të mandatuar në kuvend, në bashki e komuna për të përfaqësuar më mirë territoret, komunat, bashkitë, të zgjedhurit lokalë dhe qendrorë.

3. Të zgjerohen asambletë e bashkive/komunave duke i dhënë të drejtë anëtarësisë të zgjedhë sipas parimit ‘një anëtar një votë’, një të tretën e anëtarëve të tyre.

4. Të krijohen kryesitë e asambleve të komunave/bashkive, mungesa e të cilave ka dobësuar kolegjialitetin dhe rolin drejtues në nivel lokal.

5. Të forcohen funksionet e Këshillit Socialist të Rrethit dhe autonomia e tij, duke u dhënë atyre kompetencat e zgjedhjeve me votë të lirë të sekretarit të Këshillit Socialist të Rrethit duke shmangur ndërhyrjen e kryesisë së PSSH-së.

6. Të zgjerohet dhe forcohet roli i Konferencave Socialiste të Qarqeve, të cilat duhet të shprehen për kandidatët për deputetë, për drejtuesit e njësive vendore, për anëtarët e ASK-së si dhe të zgjedhin me votim të lirë Sekretarin Rajonal.

7. T’i jepet e drejtë anëtarësisë së komunës të përcaktojë sipas parimit ‘një anëtar një votë’ kandidatin për kryetar të njësisë vendore.

8. Të ndalohen me statut rastet e shkarkimit të drejtuesve të strukturave vendore të partisë me vendim të Kryesisë së PSSH-së, por të zbatohen parimet e demokracisë së brendshme përmes instrumentit të mocionit nga organi që e ka zgjedhur atë.

9. Të përcaktohet në statut detyrimi i kryetarit të PSSH-së për të kandiduar në listën e deputetëve të PSSH-së në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

10. Të sqarohet përfundimisht në statut çështja e rikandidimit të kryetarit të PSSH-së në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Këto propozimet do t’i paraqiten kongresit për miratim dhe nëse delegatet socialiste do t’i japin OK paketës Blushi mendohet se këto ndryshime qe kërkohen t’i bëhen statutit do te ndikojnë ne përmirësimin e mënyrës se drejtimit dhe funksionimit te Partisë Socialiste./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka