Protesta e radhës e opozitës do të jetë më e zgjeruar se ajo e 7 Tetorit që u zhvillua në Tiranë. Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli ka mësuar se protesta e 29 Tetorit do të shoqërohet me bllokime rrugësh në disa zona të vendit.

I vendosur të mbahet në orën 17:00, aksioni i radhës i opozitës pritet të sjellë bllokim rrugësh në Kthesën e Kamzës, Milot, Shkozet, rrethrrotullimi i Rrogozhinës, Levanit dhe Bradasheshit.

Kjo vjen 2 ditë pasi 30 deputetë të grupit parlamentar demokrat shkuan jo vetëm për të protestuar në mbrojtje të kauzës së tyre, por edhe për të sensibilizuar kolegët e Parlamentit Europian në Strasburg.

Sipas demokratëve, përpjekjet e opozitës për të garantuar shtetin ligjor dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri, janë rruga e vetme që e afron Shqipërinë në familjen europiane./tvklan.al