Dy protestues të tjerë janë vënë pranga nga policia e Tiranës, me dyshimin se kanë veprime të paligjshme në tubimin e 7 Tetorit. Sipas uniformave blu ata kanë hedhur lëndë piroteknike në drejtim të efektivëve të policisë, apo institucioneve publike.
Mes të arrestuarve është edhe Sokol Bushkolaj, 49 vjeç, banues në Krujë, i cili nga verifikimet rezultoi se kishte thyer arrestin në shtëpi, caktuar nga Gjykata e Tiranës. Kjo masë e vendosur ndaj 49-vjeçarit, vjen pas një akti të paprecedent që ai ndërmori po në një tubim të zhvilluar nga opozita, më 28 Maj përpara Bashkisë së Tiranës.
Siç mund ta shihni dhe në këtë video, Bushkolaj është personi i veshur me bluzë të bardhë, flamurin kuqezi, kapele, maskë anticovid dhe doreza i cili në tentativë për të goditur godinën e bashkisë, hedh molotovin mes gazetarëve dhe operatorëve duke u rrezikuar jetën.
Me arrestimin e tij dhe një tjetër protestuesi, shkon në 3 numri i të prangosurve nga policia. Me këtë të fundit që po këtë të mërkurë njoftoi se ka vënë në hetim dhe 5 persona të tjerë, duke e çuar në 11 numrin e të proceduarve penalisht mes të cilëve janë edhe 2 deputetë të Partisë Demokratike.
Tv Klan