Opozita ka zbritur në shesh në një protestë qytetare për më shumë siguri dhe drejtësi.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu socialist demokrat, Skënder Gjinushi, kryetari i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, kanë mbërritur në shesh nga Partia Socialiste.
Pak minuta më vonë i është bashkuar krerëve opozitarë dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Turma e njerëzve ka përshkuar në këmbë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke mbajtur në duar pankartën që akuzonin kryeministrin për keqqeverisje, por dhe kur kërkohej largimi i tij.
Partia Socialiste u vu në krye të kësaj iniciative për të mbledhur qytetarët në një protestë duke argumentuar se vendi sot pas tragjedisë së Gërdecit është dy herë më i pasigurt dhe ku korrupsioni është rritur po aq.
Protestuesit janë ndalur përpara selisë së kryeministrisë. Gjatë fjalimit të tyre përpara qytetarëve liderët opozitarë kanë adresuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Berisha.
Edi Rama: “Problemi ynë është se Sali Berisha ka dorë në vdekjen e shpresës. Ne jemi këtu për të dëshmuar si qytetarë se Shqipëria e ka një shpresë, se Shqipëria e ka një rrugë, se Shqipëria e ka një forcë dhe kjo forcë është forca e bashkimit, e bashkimit të të gjitha këtyre që arrijnë të kuptojnë se 26 të vrarët në Gërdec nuk ka më asnjë rëndësi nëse ishin socialistë apo ishin demokratë, por ishin 26 shqiptarë dhe shqiptare”.
Ilir Meta: “Cilat janë reformat që janë realizuar në këtë vend me këtë njeri deri sot? Shkatërrimi i kushtetutës dhe realizimi i qëllimeve të tij për t’u bërë mbret i shqiptarëve, ëndërr që e rrëzuan dy herë qytetarët e Shqipërisë me referendumet popullore apo do të bëjmë reformën zgjedhore me këtë të papërgjegjshëm që gjakosi shqiptarët dhe opozitën në ’96-tën. Sali Berisha nuk e ka vendin në kryeministri, por në prokurori dhe në gjykatë.”
Por protesta opozitare pati dhe një anë tjetër të medaljes. Problemet në qendër mes dy partive kryesore, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim u reflektuan po aq dhe në bazë.
Një përplasje pankartë mbajtësish për të marrë në dorë drejtimin e protestës dhe që u shoqërua më pas me thirrje anti-qeveritare të pakoordinuara./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi