Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari paralajmëroi akte dhune edhe në protestën e kësaj të hëne të opozitës, ndërsa aktet e dhunës në protestën e 11 Majit, ai tha se ishin të organizuara sipas një plani të paracaktuar. Në një deklaratë për mediat, Lamallari tha se
“sipas deklaratave mediatike, rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë ta përsërisin atë edhe sot. Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit mbrëmjen e 11 Majit, do të tentojnë sërish të njëjtat akte dhune, edhe në manifestimin e sotëm”.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të distancohen nga këto akte grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit, tha zv/Ministri, i cili shtoi se policia në bashkëpunim me prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese janë në ndjekje dhe po hetojnë të gjithë mekanizmin e ideimit, organizimit dhe ekzekutimit të këtyre akteve kriminale. “
Të gjithë autorët pa dallim do të përballen me forcën”,
theksoi Lamallari.
Sa i përket gazit lotsjellës, Lamallari tha se ai është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të policisë, përballë turmave të dhunshme.
“Përdorimi i gati lotsjellës është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të Policisë së Shtetit. Është mjeti i parë që përdorin forcat policore të çdo vendi demokratik në përballjet me turmat e dhunshme, përballë qindra bombave molotov të hedhura mbi policinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të saj. Nuk mund të ketë asnjë pikëpyetje mbi përdorimin ose jo të këtij mjeti. Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është afektimi edhe për disa minuta i qytetarëve, të papërfshirë në tubim, nga gazi lotsjellës”.
Zv/ministri dënoi me ashpërsi
“aktin e organizatorëve të tubimit të dhunshëm, për devijimin e tij nga Bulevardi drejt zonave të populluara, duke afektuar kështu dhe qytetarë që nuk kishin lidhje me tubimin”.
/tvklan.al