Gati krijimi i zyrës së re. Deri në 2023, 363 prona i kaluan shtetit
Pasuritë që si burim të tyre kanë aktivitetin kriminal, tashmë do të mund të gjurmohen dhe identifikohen si brenda dhe jashtë vendit.
Është ky roli që do të ketë zyra e re që pritet të krijohet me propozim të Ministrisë së Brendshme, ku në fokusin kryesor të saj do të jenë eksponentët e krimit të organizuar apo ish-zyrtarët e dënuar.
“Ka për mision gjurmimin dhe identifikimin e pasurive me origjinë kriminale, qofshin këto nga krimi i organizuar apo dhe nga korrupsioni, përfshirë këtu dhe persona zyrtarë apo edhe politikanë të cilët kanë abuzuar me detyrën”, thotë zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.
Por si do të funksionojë kjo zyrë e re menaxhimi dhe gjurmimi të pasurive të krimit?
“Zyra e Rikuperimit të Aseteve e cila do të ngrihet në Policinë e Shtetit, do të ushtrojë veprimtarinë e saj në bashkëpunim me zyrat e tjera homologe për rikuperimin e aseteve në vendet e BE duke identifikuar këto pasuri kudo që ato të jenë”.
Ambjenti ku jemi ndalur sot, deri në vitin 2020 ishte në përdorim nga krimi i organizuar por prej më shumë se 4 vitesh tashmë ai i shërben Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Por sa pasuri me burim aktivitetin kriminal janë sot në përdorim nga shteti shqiptar?
“Rreth 363 pasuri të tilla të konfiskuara në mënyrë përfundimtare”.
Referuar të dhënave, qytetet ku më së shumti janë konfiskuar pasuri, që tashmë janë nën administrimin e shtetit, janë Vlora, Durrësi dhe Tirana.
Tv Klan