3 protestues janë arrestuar dhe 3 deputetë të Partisë Demokratike janë proceduar penalisht lidhur me protestën e opozitës së ditës së djeshme në Bradashesh të Elbasanit. Si dhe janë proceduar penalisht 20 persona të tjerë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., H. L., E. P., të tre banues në Elbasan, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Tomor Alizoti, Qani Xhafa dhe Edmond Spaho, të tre deputetë të Partisë Demokratike, si dhe për shtetasit I. K., A. B., B. H., A. B., S. Sh., H. T., D. S., A. K., D. K., A. B., B. T., Y. B., Xh. I., E. Sh., A. M., P. P., A. T., S. P., N. P. dhe Q. Sh., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit””, njofton Policia.
Në vijim u shpallën në kërkim 3 persona me iniciale L. T., G. C. dhe G. Ç., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
“Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, te rrethrrotullimi në Shijon, dhe për rreth 2 orë, kanë penguar qarkullimin e mjeteve në të dyja senset e aksit. Më tej, nga verifikimet ka rezultuar se shtetasit e arrestuar E. P. dhe H. L., si dhe shtetasi i proceduar A. B., kanë lënë 3 automjete në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit. 3 automjetet janë lëvizur nga rruga, në përfundim të tubimit, dhe janë sekuestruar nga Policia, ndërsa 1 automjet tjetër është shpallur në kërkim”, njoftojnë blutë.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e automjetit të katërt që bllokoi qarkullimin, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë tubimit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al