Qëndrimi i Podgoricës në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë nga kundërshtitë e opozitës, siç ishte dhe protesta e mbrëmjes së shkuar, e cila u shoqërua me akte të dhunshme.
Në një intervistë për televizionin Klan, ministri shqiptar i të drejtave të njeriut dhe pakicave në qeverinë malazeze, Fuad Nimani thotë, se ajo çka është vendosur është bërë me pjekuri dhe nuk mund të kthehet pas.
Fuad Nimani: “Protesta e opozitës nuk do të do të luajë kurrfarë roli, sepse vendimi nuk mund të kthehet mbrapsht, as historia nuk kthehet mbrapsht, as statusi i Kosovës nuk do të kthehet asnjëherë mbrapsht.”
Opozita i ka dhënë afat qeverisë dy ditë për ta anuluar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërsa ka paralajmëruar protesta të reja për 16 tetorin. Pavarësisht se policia ka ndaluar organizime të tilla. Por për qeverinë opozita po shpenzon energji të kota.
Fuad Nimani: “Kjo tregon që me të vërtetë e kanë humbur rrugën e vet në politikë. Dhe me të vërtetë tregon që janë politikanë të dështuar sepse ka qenë momenti për çështjen e Kosovës të integrohen dhe ta miratojnë këtë vendim anonim. Duke ditur që çështja e Kosovës është çështje e kryer.”
Një natë më parë rrugët kryesore të kryeqytetit malazez u kthyen në skena aktesh, dhune dhe protestash. Qindra vetë u mblodhën përpara parlamentit për ti kërkuar qeverisë anulimin e njohës së Kosovës.
Ashtu siç duket nga pamjet e xhiruara edhe nga kamera e televizionit Klan, nga një protestë paqësore manifestimi u kthye në një përleshje mes pjesëmarrësve dhe policisë. Të paktën 34 vetë janë plagosur, ndërsa 18 të tjerë kanë përfunduar në prangat e policisë./tvklan.al