Shkon në 13 numri i personave të proceduar dhe arrestuar për ushtrim dhune gjatë protestave të organizuara nga opozita dhe Alenca për Mbrojtjen e Teatrit para Bashkisë së Tiranës.
6 prej tyre janë proceduar vetëm për protestën e së martës pasdite, nga të cilët 3 do të hetohen në gjendje të lirë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Gjithashtu po për tubimin e fundit, uniformat blu kanë shpallur në kërkim 3 persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë përdorur mjete piroteknike, molotov dhe kanë goditur efektivët e policisë.
Këto momente janë fiksuar me pamje filmike dhe përkojnë me tentativat e protestuesve për të çarë kordonin e policisë me qëllim futjen në ambientet e brendshme të Bashkisë së Tiranës.
Protesta e thirrur këtë të martë ishte e pesta e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe e mbështetur nga opozita, teksa gjatë saj policia u detyrua të përdorë për herë të parë edhe spraj me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që kërkonin të futeshin në bashki.
Tensionet mes protestuesve dhe efektivëve të policisë nuk kanë munguar as në tubimet e mëparshme, për të cilat janë vënë në pranga 6 persona, por që më pas janë liruar nga gjykata.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës pasi disa nga ish-drejtorët e tij u vunë në pranga nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.
Tv Klan