Protestuesit dhe policia u përleshën në kryeqytetin e Gjeorgjisë për të katërtën natë radhazi. Trazirat e shkaktuara nga bisedimet e pezulluara të anëtarësimit në BE, janë zgjeruar përtej Tbilisit. Demonstruesit u mblodhën në Avenue Rustaveli, të pajisur me maska gazi dhe ndërsa mbanin flamujt e Gjeorgjisë dhe BE-së.
Policia filloi t’i largonte demonstruesit nga ndërtesa e parlamentit drejt teatrit të operës në Tbilisi dhe filloi të ngrinte barrikada, ndërsa arrestoi disa persona. Përtej kryeqytetit, demonstruesit kishin bllokuar një rrugë hyrëse në portin kryesor tregtar të vendit në qytetin e Potit të Detit të Zi. Video të ndryshme nga protesta tregojnë oficerë policie duke dhunar protestuesit. Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e ka quajtur Parlamentin e vendit si të jashtëligjshëm dhe është zotuar se nuk do të japë dorëheqjen deri në përsëritjen e zgjedjeve. “Nuk ka Parlament legjitim, dhe për rrjedhojë, një Parlament jolegjitim nuk mund ta zgjedhë një president të ri”, tha Zurabishvili.
Kryeministri Irakli Kobakhidze ka hedhur poshtë thirrjet për zgjedhje të reja. Ai konfirmoi raportet se ambasadori i Gjeorgjisë në SHBA ishte bërë diplomati i fundit i lartë që u largua. Ndërkohë, Uashingtoni njoftoi se e ka shkëputur “partneritetin strategjike” me Gjeorgjinë. “Shtetet e Bashkuara e dënojnë përdorimin e tepruar të forcës nga policia kundër gjeorgjianëve që përpiqen t’i ushtrojnë të drejtat e tyre për tubim dhe për t’u shprehur, përfshirë lirinë e tyre për të protestuar paqësisht”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Rezoluta e Parlamentit Evropian që kritikon partinë “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe dënon zgjedhjet e fundit shkaktoi pezullimin e bisedimeve. Grupet e opozitës pretendojnë ndërhyrjen ruse në procesin zgjedhor, duke përfshirë frikësimin e votuesve dhe manipulimin e votave.
Klan News