Qindra drejtues automjetesh në qytetin e Lushnjës organizuan një tubim në protestë ndaj politikave fiskale diskriminuese, sipas tyre, që po ndjek qeveria. Të udhëhequr nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe Sindikata e Transporteve, protestuesit i kërkuan ministrit të Transporteve Spartak Poçi zbardhjen e shumës së parave të mbledhura deri tani për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës dhe të taksës së qarkullimit. Për minuta të tëra, sheshi i qytetit të Lushnjës ushtohej nga qindra bori makinash në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e zyrtarëve që vazhdojnë të rëndojnë me taksa qytetarët. Njëri prej juristëve të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve tha:
“Qeveria duhet të deklarojë se sa para dhe çfarë është bërë me këto para, të tregojë destinacionin e këtyre parave. Mungesa e transparencës në qeverisje dhe përdorimi i fondeve publike është një nga tiparet thelbësore të korrupsionit në vendin tonë.”
Protesta do të zhvillohet në qytete të tjera të vendit dhe do të kurorëzohet me marshimin e 20 000 automjeteve në drejtim të Tiranës për të demostruar përpara Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacionit. /tvklan.al